Rrugët në Tiranë, lidhet kontrata rreth 1 mln euro për lidhjen e Dajtit me rrugën Myslym Qefalia
Bashkia e Tiranës ka lidhur kontratën për një investim rreth 98 milionë lekë, ose afro 1 milion euro, që synon përmirësimin e aksit rrugor që lidh rrugën Dajti me rrugën Myslym Qefalia në zonën Shish Tufinë.
Kontrata parashikon ndërhyrje në një segment me gjatësi rreth 2.5 kilometra, që përfshin rrugët Hasan Lici dhe Sefer Lika, në Njësinë Administrative Dajt. Sipas dokumentacionit teknik, gjendja aktuale e rrugës paraqet probleme serioze infrastrukturore, duke nisur nga mungesa e trotuareve pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj.
Gjendje e amortizuar dhe mungesë infrastrukture
Pas azhornimit në terren dhe rilevimit topografik, është konstatuar se gjerësia e rrugës varion nga 2.5 deri në 7 metra dhe kufizohet nga të dyja anët me mure, gardhe dhe segmente me skarpata me pjerrësi të mëdha. Shtresa ekzistuese e çakallit është e dëmtuar dhe gjatë reshjeve krijohen gropa që e bëjnë të vështirë qarkullimin.
Dokumentet theksojnë se përgjatë gjithë segmentit mungojnë kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimi publik, trotuaret për këmbësorët, hapësirat e gjelbra, parkingjet dhe pikat e menaxhimit të mbetjeve. Ekziston vetëm linja e ujësjellësit, ndërsa pusetat në trupin e rrugës janë evidentuar për t’u marrë parasysh në projektim.
Afati dhe qëllimi i investimit
Ndërhyrja pritet të përfundojë brenda 7 muajsh nga lidhja e kontratës. Bashkia e Tiranës e konsideron këtë projekt pjesë të Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili parashikon rizhvillimin e zonës përmes përmirësimit të infrastrukturës rrugore.
Sipas dokumenteve shoqëruese, investimi synon një zhvillim të integruar social, kulturor dhe ekonomik, përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët dhe studentët e zonës, si dhe mbrojtjen e ambientit.